Mbi prozën e Flutura Açkës

"Personazhet e Flutura Açkës përsillen mes qëndrimit dhe ikjes, qetësisë dhe paranojës, shpresës dhe dëshpërimit, vuajtjes dhe lumturisë, të kaluarës dhe të ardhmes. Të gjitha këto e tipizojnë realitetin shqiptar, i cili përpëlitet midis ëndrrës jetësore dhe vdekjes kërcënuese. Kështu mund të nënkuptohet se autorja aktivizon alarmin ekzistencial, si një pasthirmë ndërgjegjësuese për qenien njerëzore. Ajo e përdor tërë forcën e vet krijuese, si dhe ndjeshmërinë artistike, për të zbuluar psikologjinë dramatike, paradoksin modern të ekzistencës dhe mendësinë anakronike përballë kohës sonë."
Ahmet Selmani, kritik, Shkup 2006

"Flutura Açka është një shkrimtare e shqetësuar, e angazhuar, e përkushtuar për civilizimin dhe qytetërimin e shoqërisë sonë. Në thelbin e unit krijues të Açkës, është kërkimi i formave të reja moderne të shprehjes, duke respektuar lirinë e saj krijuese, të vetëorientuar nga vizionet dhe qytetërimi modern. Shkrimtarja Açka dhe qytetarja Açka janë të çliruara nga çdo kompleks, nga çdo pushtim. Ato janë të lira. Açka është vetvetja... Duke qenë e çliruar nga komplekset, ajo është sa realiste, aq edhe origjinale e moderne në trajtimin artistik të dukurive të realitetit, si në rrafshin social e historik, ashtu edhe në atë të familjes dhe në rrafshin intim e të marrëdhënieve dashurore. Marrëdhëniet intime në prozën e saj përshkruhen me imtësi, pa rënë në vulgaritet e banalitet, por me një gjuhë tropologjike, të pastër, që e bën lexuesin të përjetojë çaste të bukura dhe të ndiejë kënaqësi estetike dhe shpirtërore."
Mexhit Premçi, Tiranë 2005

"Flutura Açka legjitimohet si një ndër romancieret e spikatura të gjeneratës së re. Vepra e kësaj krijuese moderne, ka pamjen e mozaikut të fortë e të llojllojshëm. Këtë e dëshmojnë ornamentet e ndërtuara pa kufij, të gdhendura në një bazë unike. Fjalinë e zhdrejtë të saj nuk duhet ta kuptojmë si një lajthitje e dobësi të autores, por si një shpallje publike të "belbëzimit të gjeniut", që tregon se kjo fjali është në shërbim të mënyrës moderne të rrëfimit."
Prof. Hamit Xhaferi, Shkup 2004

"Açka është nga ato shkrimtare që aplikon një gjuhë të pastër, të krehur, elitare, gjuhë që të ngop, dhe sikur të ledhaton, të këndell, sepse ka shumë përkujdesje ndaj shqipes letrare. Prania e tretur bukur e miteve, e legjendave, e trilleve folklorike, i jep ca më shumë dritë fantazisë së saj..."
Prof. dr. Josif Papagjoni, Tiranë 2002

"Gjuha e rrëfimit të Açkës, përveç saktësisë së shprehjes, përveç sintaksës krejt shqip, të saktë dhe të qartë, ka një lëng dhe natyrshmëri që do t'ia kishin lakmi krijues e stilistë më në zë. Kur merret me jetën dhe fatet e njerëzve, kur përshkruan dhe shtjellon ngjarje nga jeta, ajo e lë hapur shtegun të besojmë se rrëfimi nuk është një modë, as një kokëkrisje, por është një domosdo për të thënë bërthamën e asaj që njeriu e quan jetë."
Dr. Emin Kabashi, Prishtinë 2002


Mbi poezinë e Flutura Açkës

"Në tempullin e poezisë janë të paktë xhonglerët e fjalës. Flutura Açka është një e tillë. Poezia e Açkës spikat për parapëlqimet drejt një vargu me ngarkesa të epshme figurative, me prapthina e përmbyllje të befta. Të shkruash bukur nuk është e lehtë. Të shkruash bukur do të thotë të njohësh, të përcjellësh, të emocionosh, të ledhatosh me farfuri vegimesh, tingëllimash e ngjyrash gjuhën tënde, gjuhën shqipe. Dhe shumëçka tjetër. Flutura Açka di t'i bëjë këto. Ajo shkruan bukur…"
Josif Papagjoni

"Poezia e Flutura Açkës sjell në poezinë shqipe një ndjeshmëri të natyrshme, të sinqertë. Është një mrekulli e ligjërimit poetik. Pa imponim të sforcuar "bisedon" me jetën e njerëzve dhe me vetveten, pa fshehur asgjë. Është një zë origjinal, i kërkueshëm në aktin krijues. Flutura Açka nuk ngurron të artikulojë botën e brendshme të gjinisë. Thjeshtë. Qartë. Bukur."
Flora Brovina, Kosovë


"Flutura Açka është një nga poeteshat shqiptare sqimatare..."
Daccia Maraini, Itali


"E menduar dhe pothuajse bisedimore, si e lidhur te fati i luhatjeve të jetës, është poezia e Açkës, ku trupi shfaq sërish "ritmikën e ndjenjave" të pashpallura. Jemi pikërisht në të pastajmen, në një horizont pritjeje, në qetësinë e së cilës Açka bëhet një transkriptuese e fortë e emocioneve: droja se fjala poetike është pakthyeshëm e humbur në errësinë e zemrës dhe të mendjes, shkrihet pak nga pak në mahnitjen e jetës, që duket se rinovohet e rindërtohet brenda ciklit të stinëve, në një gramatikë të re befasuese të gjërave."
Ennio Grassi, Itali


"Poezia e Flutura Açkës e vërtetë, larg prej marrjes së pozave, poteres së tepërt dhe përdorimit të fjalëve boshe. Për fat, sikurse ato fytyrat njerëzore që i ruhen pudrës së tepërt dhe kremit, që i kthen ato në maska, poezia e saj e shmang snobizmin, në të njëjtën kohë mbingarkesën a zhurmën e panevojshme të vargut. Ajo çfarë na tërheq në të vërtetë është HARMONIA.
Bardhyl Londo


Dr. Emin Kabashi, Prishtinë maj, 2004

Leximi i poezisë së Flutura Açkës

Kishte një periudhë kohore në zhvillimin e poezisë shqipe, e cila nuk ishte e zonja të bëjë pjesë në trashëgiminë shpirtërore as në vlerat e të mëdhenjve të Rilindjes sonë Kombëtare, siç ishte rasti me veprën poetike të Jeronim De Radës. Nuk ishte e zonja kjo poezi, niveli i saj artistik dhe kulturor ende të komunikonte me kulmet e këtyre vlerave. Duhej të priteshin vitet '60 që të bëhej e mundur krijimi i urave të tilla, të bashkëkrijimit të tërësisë së vlerave shpirtërore të kulturës kombëtare. Në këtë kohë ishte botuar vëllimi me poezi i "Shekulli im" i I. Kadarëse. Po të kësaj kohe janë edhe veprat e para të rëndësishme të poetit Dritëro Agolli e ndonjë bashkëkrijuesit të tyre.

Që nga ajo kohë e deri në ditët tona, poetesha dhe romancieja Flutura Açka, është njëri ndër zërat më të rëndësishëm të poezisë shqiptare. Kur lexohet një poezi, një vëllim poetik, zakonisht shprehja e parë që na kujtohet është "më pëlqen", ose "nuk më pëlqen sa duhet". Sado që përkufizimi "pëlqim", nuk është kategori vlerësuese.

Flutura Açka është krijuese, që ndoshta më mirë se askush kultivoi një stil origjinal, që më mirë se askush në poezinë bashkëkohore shqiptare, kultivoi një gjuhë poetike aq të lëngshme, sa lexuesin e merr malli ta lexojë sërish dhe sërish poezinë e saj.

Gjuha e poezisë së Flutura Açkës ka diçka të përbashkët me gjuhën e shkrimit në prozë, pra është gjuhë e autores. Flutura Açka deri tash ka botuar vëllimet me poezi: Tri vjeshta larg (1993), Mure vetmie (1995), Festë me ankthin (1997), Kënga e Aretuzës (1998), Kurth i diellit (2002), 10 vjet poezi (2003) dhe romanin Vetmi gruaje (2001).

Gjuha e poezisë së saj dhe gjuha e romanit dëshmojnë për kujdesin e madh ndaj shkrimit, si një akt suprem i autores ndaj shkrimit, si një akt suprem i bërjes së shenjave të përjetësisë. Gjuha e krijimeve të saj të ngjan me atë mushtin e verës, që fillimisht vetëm të ngroh, pastaj vjen dehja.

Gjuha e poezisë së Flutura Açkës është dëshmi e pjekurisë krijuese, që me aq përkushtim e kultivon, e cila përveç saktësisë së shprehjes, përveç sintaksës krejt shqip, të saktë dhe të qartë, ka një lëng dhe natyrshmëri që do t'ia kishin lakmi edhe krijues e stilistë në zë.

Pa dyshim, poetesha Flutura Açka është ndër krijueset mjaft e njohur në republikën e poezisë. Vepra e saj poetike, sado që edhe ajo në prozë nuk është prapa, komunikon sot në disa gjuhë të botës. Të thuhet përkushtimisht kështu: ajo nuk është lodhur shumë si do të pritet në botë poezia e saj, si do të komunikojë në rrethe të ngushta intelektualiste, që nuk mungojnë askund në botë, andaj nuk mungojnë as në poezinë shqipe, e rrjedhimisht as në kulturën shqiptare.

Poetesha i ka dhënë botës tjetër, asaj që nuk e ka gjuhë të poezisë së saj, gjuhën shqipe, i ka dhënë pra vargun shqip, me gjithë njomësinë e tij, gati të natyrshme, me gjithë mundësinë e një organizmi të mirëfilltë poetik, me gjithë laryshinë shprehëse të tij, me gjithë shtresimet kuptimore të fjalës poetike shqipe, pa u druajtur se mund të jetë prapa shoqeve të tyre evropiane e botërore.

Poezia shqipe në përgjithësi, falë dhe arritjeve të realizmit artistik të poezisë së saj, sot është bashkëudhëtare e vlerave më të arrira të poezisë së përbotshme, por nëse e bëjmë tonin mendimin e një dore krijuesish dhe studiuesish, që ndoshta u vjen turp pse janë pjesë e një gjuhe, siç është shqipja, u vjen turp pse janë bërës të një kultureje, siç është kultura shqiptare. E të tillët, as nuk bëjnë kulmet, as nuk bëjnë rrafshin kombëtar të vlerave të kulturës sonë.

Origjinaliteti i saj është i një lloji të veçantë në poezinë tonë, dhe mendoj është njëri prej rrafsheve shenjues të vlerës së poezisë së saj. Poezia e saj ka një shendet të mirëfilltë njerëzor.

Mund të thuhet, prandaj, poezia e artistes Flutura Açka është e tillë, sepse ka mundësuar ecjene poezisë shqipe, i ka mësuar gjuhën e vargut, sintaksën e fjalisë shqipe, kërkimin e natyrshëm të sistemit të figuracionit, hallakatjet e vazhdueshme pas figurave të mendimit, në mënyrë që vargu të mos jetë shterp, kërshërinë përherë të pranishme, që imagjinata të ketë një rregull, qoftë edhe të papërkryer, përpjekjen që poezia të ketë sa më shumë jetë të njeriut, domosdoshmërinë e plakjes së vazhdueshme mbi vargjet.

Në poezinë e saj frymon një jetë ë tërë, ose thënë më shkoqur, miniatura e një jete, kur ndonjëherë shkruan poezi dhe për ditë të caktuara, nëse dita mund të merret si e tillë, ku qoftë vetëm për gjetjen e një figure, të shkon mendja se krijuesja është plakur kohë të gjatë. Kjo figurë (fjala vjen, "i bëri sendet me rrufë") është gjetur mirë, dhe ky është stili në poezi.

Në vargjet e poezisë sa saj është një udhëtim i madh, ku figura e njerëzimit bëhet bartëse e kuptimit poetik të poezisë. Të gjitha gjërat marrin shpirt, shpitësohen. Në këtë "mbretëri të njohur ndonjëherë hyn trishtimi". (Mirëdita, trishtim, F. Sagan). As nuk ka ngjashmëri, as nuk ka përkim. Nuk ndodh asgjë më tej. Dhe tashti, kur nuk e pret fare (dhe kjo thonë është mirë për artin) vjen në vargje figura e gruas, e tillë që tërësisht deri te poezia e Flutura Açkës i ka munguar poezisë sonë. Po gruaja është aty, e pranishmja dhe e munguara! Të tjerat dihen. Edhe për shpirtin e gruas, poezia e përbotshme ka thënë çdo gjë që nga A. Ahmatova e këndej.

 

Flutura Açka Revives the Anguish of the Kanun in her Novel,
"The Cross of Oblivion" (Kryqi i Harresës)


Flutura Açka's novel has only just arrived in Albanian bookstores. It offers a new interpretation of the Kanun - a clearly feminine view of the phenomenon which, to a certain extent, defined Albanian existence in centuries past.
The writer Flutura Açka has taken upon herself the great endeavour of comprehending, or rather offering to the public a different view of the Kanun. She has chosen to present her work in the form of a novel, entitled Kryqi i Harresës (The Cross of Oblivion), which has only just been put on sale.
Because of their intellectual background and their proximity to those reaches where the Kanun is most alive, the Albanians are experts on the subject, not least because of the Kanun's survival into the third millennium. In the field of literature, the reading public in Albania has only had one novel on the subject, Kadare's "Broken April." Many have endeavoured to explain the Kanun along these lines. Kadare's protagonist Gjorgu and his tragic fate have been seen as symbolic of the destiny of all Albanians who have suffered directly or indirectly from the Kanun.
Now comes Flutura Açka, who takes us into new terrain, not the same terrain as travelled by Gjorgu, but a configuration thereof. There are many forms of transition in which her characters (some of whom abroad) take part, some of them unconsciously. "They all hate it, but they all submit to it." This is the very fatality of Albanian life - you cannot avoid reflecting on the Kanun. Very few Albanians have not judged along those lines.
With her feminine optics, Flutura Açka shows us that life holds opportunities even in this living Hell. A wretched Albanian family, in the throes of fate, suffering family deaths and bitter impoverishment, is quite by accident caught up in a bloody vendetta. Whereas in Kadare's novel, Binak Alia suffices to solve the issue, this is not the case in Açka's work. Her Kanun is not a monument like Kadare's, but a veritable sphinx. This must be understood and Açka forces you to realize this. The game seems interminable because another figure of Açka's does not understand the hidden reality of things, until the brother who lives abroad solves the riddle in Gordian manner. The laws of the State are not present to any great extent in Açka's novel. If they were, the novel would meander in pathos. Açka utilizes an enticing form of narration and has an admirable sense of diction. The narration alternates with the psychological monologues of her main characters. Many of her figures are caught up in this reality, whereas other have simply heard of the Kanun from their education. But this is only part of it. Her characters know how to live, know how to have sex, and know how to hope and survive.
Altogether, her novel evinces a disciplined structure, which does not, however, impede at any time upon that sense of impatience and foreboding which reign from the start when you enter the world of her Gjergj and his Dutch girlfriend.

Ben Andoni
Translated from Korrieri, Tirana, 17 March 2005


DASHURI NË KOHËN E… SEKSIT…


Gazeta Shqiptare17 Dhjetor 2006, Suplementi "Milosao"
Universi Shqiptar i Librit, Nr. 1, 2006


Prof. Dr. Josif Papagjoni

Gati sa s'thashë "Dashuri në kohën e kolerës", titull i romanit të famshëm të Gabriel Garcia Markesit. Dy vetë ka dhe në atë roman dhe një dashuri e çuditshme, mbushur mall e adhurim, që triumfon në pleqëri, kur lëngjet e njeriut thuajse janë tharë. Por dashuria mbin edhe në llom, edhe në zheg. Se është dashuri. Edhe romani i fundit i Flutura Açkës, "Hiri", dy vetë ka gjithë-gjithë dhe për dashurinë flitet gjithashtu. Për dashurinë në shekullin e keqkuptimit më të madh të saj, gjithpo aq të ndotjes më të madhe: pornos. Letërsia krejt dashuri është në fund të fundit, aty lundron. Puna është se si lundron? Pikërisht veliera e F. Açkës, shkurt stili i saj, është e lehtë, fluturake, elegante, që rrëshqet në fjalë dhe shumë ëndje jep, që e lexon me një frymë e nga pas lë veçse kënaqësi.

Poetizimi i dashurisë

"Burrat që më deshën, më hëngrën sysh, por kokën ma hëngrën burrtat që desha". Kështu shkruan në kryeherë të romanit shkrimtarja. Anatema e saj është kjo gjë vallë? Domethënë e heroinës, Enorës? Mbase. Një roman i ri, ca më tepër i shkruar nga një shkrimtare, është një festë, doemos. Për atë dhe për miqtë e saj. Këtë festë unë e ndava me Fluturën në kafe "Piaza", në një bisedë (muhabet) ik e hajde udhëve e bëmave të romanit, zgjatur në metaforën e saj me "Luginën e vdekjes", që s'ishte për mua veçse vdekja e dashurisë nga zinxhirët dhe tinzitë e martesës, e mosbesimit, e paragjykimeve, e vetë qytetërimit. Ndoshta, edhe e fatalitetit. Sepse fundet e dashurisë, çuditërisht janë aq shumë fatale!... Një bisedë, që vazhdon edhe këtu, në këtë shkrim. Vit pas viti Flutura Açka, me përvojën si nënë dhe grua, nga Tirana në Utrecht të Hollandës, sikur rrëmon më fort në udhëkryqet dhe misteret e dashurisë, tek pjesa e pashpjegueshme, aty ku zë fill eteri, fryma, mugu, "pika kritike", kur lëngu kthehet në avull e bëhet "shpirt". Sepse dashuria është "shpirt". Është fole zogjsh në ajër. Sinestezi ngjyrash që shndërrohen në tinguj dhe tinguj që shndërrohen në aroma. Një kod trashedental, jo i Artur Robjesë, por i Demiurgut, qysh në Zanafillë, para "gjethes së fikut", atëbotë kur ontologjia e gjësendeve ra pingulthi dhe u shndërrua veçse në orgazëm, në djersën e epshit prej mishit të bardhë, pa u bërë kurrë poezi, ajër, parfum, eskatologji ëngjëjsh, një diademë ala Rembo. Pikërisht në kohën kur mbi fletët e bardha të pseudo letërsisë derdhet kaq shumë ndyrësi, duke e ndotur dashurinë me perversitete, kur fjala ka humbur peshë dhe përshkrimi është shndërruar në një kazan plehrash, romani "Hiri" bën të kundërtën: poetizon dashurinë. Gjithë ç'shkruhet aty, sidoqë prozë e rrëfim, është sikur të lexoje poezi. Të deklamoje. Shumë frymëzim ka. Qëndisje e fjalës. Ritëm. Ditiramb. Shfrime lirike të një shpirti të bukur.

Bukuri në thjeshtësi

Nuk do të gjeni ngjarje të zymta, klithma dhe grindje, as dhunime, grushta, britma, gjak, thika e vrasje, sharje e poshtërime. Asgjë të "fortë", "dramatike", ca më pak "tragjike" do të gjeni tek romani "Hiri". S'është as si "Vetmi gruaje", romani i parë i saj, i përkthyer këtë vit edhe në gjuhën bullgare, as si "Kryqi i harresës", romani i dytë i saj, ku tragjikja rëndon si një qiell i zymtë përsipër. Përkundrazi, ky roman i ngjan një serenade buzëmbrëmjeje për dashurinë, atëbotë kur konturet e gjësendeve mugullohen dhe magjia e hënës breron mbi to si aureolë mistike, - këtë po, do ta gjeni aty. Sepse dashuria është si prushi nën hi. Shkundeni pakëz gacën dhe prushi do të kuqëloj sërish si shpuzë duke j'ua lbyrur sytë. Lëreni dhe hiri sërish mbi shpuzë do të zbardh, cipë do të zërë, si bora e pranverës mbi barin e njomë. Kjo është historia vetanake, po aq universale, e piktorit të talentuar shqiptar Ed Zagoria, që jeton e krijon në Amerikë, me gazetaren shqiptare Enora. Veç dy personazhe janë, asgjë më shumë. Dy. Dhe një mjedis ku ata vendosen, herë diku, herë diku gjetkë: Amerikë, Shqipëri, Prishtinë. Me fare pak ngjarje, si diçka që ndodh rastësisht, që mund t'u ndodhë të gjithëve, romani është një udhëtim brenda vetes. Një udhëtim në shpirt. Në shpirtin e femrës. Një rrethrrotullim kah vetja për tek tjetri. Aty ku femra dorëzon misterin e vetetvetes dhe pret edhe dorëzimin e shpirtit të tjetrit bri saj. Por dorëzimi pa kushte, dorëzimi sublim, i perëndishëm, ai i dashurisë totale, absolute, s'vjen. Ose vjen vonë. Në heshtje. Në prag agu. Si psherëtimë. Ndaj dhe fjala magjike "Të dua" e Ed Zagorisë shqiptohet teksa dera tashmë ishte mbyllur dhe trupi i Enorës, pas dashurisë së fundit me të, po humbte diku tej, pas xhamit, në ajrin e ngrohtë të mbrëmjes. Pse e kemi frikë dashurinë vallë? Pse s'i dorëzohemi asaj? Ç'na mundon? Mos ndoshta dashuria është vetëm seks? Një grimë? Një ndërkohë? Ofshame? Lëngje seminale? Instinkt riprodhues?... I bukur apo i mërzitshëm është seksi? E bekuar apo e mallkuar është dashuria? Po martesa ç'është? E dëshirueshme, e pranueshme, e dobishme apo e domosdoshme? Hajde gjeji tërë këto ekuacione të mbyllura, si rrathët e Sokratit. Në këto rrathë vërtitet edhe përsiatja e F. Açkës. As ajo s'e gjen dot se ç'është dashuria. Dhe s'ka për ta gjetur. Sepse dashuria ka mijëra shpërndrime prej Proteu. Si mijëra valë në oqean. Gjithsesi ka një raport, ashtu si formula sakrale P/416. Ky raport është ai midis dashurisë dhe martesës.
"Shtrati martesor ishte lugina e vdekjes së çdo dashurie. Sido që të ndodhte me to, edhe sikur të mbërrinin ta preknin lumturinë, edhe sikur ta shpërfillnin, jeta e tyre do të ishte shumë e shkurtër. Një tjetër luginë vdekjeje do të shfaqej, po aq e tmerrshme sa e para: Monotonia. Rutina" (f. 159)
E trembur, gati si në panik, shkrimtarja e mbyll romanin, pa shumë peripecira. Bashkë me tri fletët e fundit, ajo mbyll edhe fundin e një dashurie. Tri faqe. U ndodha i befasuar. Po të kish një "hapy end", prapë s'do të ngopesha. Por edhe kështu, s'ngopem. F. Açka mban një pozicion të përmbajtur, thuajse solemn, si në kohët klasike. Unë anoj më fort nga situatat dramatike dhe rrokopuja e rrëzimit, e thyerjes, e "skandalit". Mirëpo romani thyerjen, "zhurmën" e kishte brenda, thellë, shumë thellë. Një zhurmë si gërricja e krimbit në dru: kër-kër. Pema do të binte. Pema e dashurisë. Nuk do të binte nga sopata (ngjarja dhe konflikti i fortë), por nga brerja e krimbit (mungesa e ngjarjes dhe e konfliktit të shpallur). Këtu është edhe shenja që përveçon llojin e romanit dhe bërjes së letërsisë. Është kodi për të hyrë në të. Për ta kuptuar si stil, si qasje, si poetikë. S'ka, pra, "skandal". Ka një ndarje, një prishje, por si pa rënë në sy. Sikur Ed Zagoria mos të kish rënë kurrë në dashuri me Enorën. As Enora me të.

Po ç'është vallë dashuria?

Vërtet, ç'është? Pse prishen dy njerëz që duhen? Cili është varri i dashurisë? Vaniteti, bjerrakoha nën shushurima fjalësh pa kuptim para një filxhani kafeje a një gote me verë? A mbi një shtrat moteli? A nën një çadër plazhi, në një varkë, në një udhëtim, çfarë tjetër? Apo mos vallë gjeografia e mishit të përkëdhelur në çdo cep, ku kënaqësia e tallazitur, tym e flakë nga epshi, sa ndizet shuhet, nën tymin e një cigareje? Çfarë e vdes dashurinë? Ankthi i keqkuptimit dhe ftohjes që vjen pas, në mënyrë të befasishme, fatale, absurde, si një çast i vetëm por budalla? Apo ëndërrat pa fund, në vargoin e përfytyrimeve syhapur, mbushur plot puthje, ledhatime e skena sentimentale, lotë që rigojnë sysh e përbetime fëminore. Mendja e shkathët e Flutura Açkës hallavitet tej e përkëtej këtyre pyetjeve. E përgjigje: gjen dhe s'gjen. Sepse dashuria, sipas autores, është dhe mbetet një mister. Një "njësh" i pazëvëndësueshëm, i papërsëritshëm. Vrapi i saj drejt të resë, të fresktës, të panjohurës, asaj që të rrëmben e të bën të harrosh, është një fatalitet me çmim çvlerësimin e vetë dashurisë si të tillë. Po martesa ç'është? Një kontratë e ftohtë, ku ndahen përgjegjësitë e mirërritjes së fëmijëve, pjestohen paratë, ngucen nervat, ngarenden shpërfilljet, sfidon indiferenca? Apo një bodrum i errët ku njeriu zbraz energjitë dhe lëngjet e riprodhimit, një mall i "prenotuar" që siguron "katarsën" seksuale. Mos thjesht është bashkë-shorti me të cilin ndan vetminë? Dhe shkrimtarja s'mënon të paraqesë të tjera dyshime: A ka martesë dhe dashuri që rrijnë në një shtrat, apo koha shpejt i divorcon, i armiqëson, i tjetërson? Martesa është lulja dhe fryti i një peme, apo vetëm fryti pa lule? Po dashuria, vetëm lulja është, era e këndshme, pa fryt? Açka gati na thotë se, ashtu siç bleta fluturon e largohet prej kësaj luleje, duke fekonduar ndërkaq pistilin për frytin e ardhshëm, pra vazhdueshmërinë si mohim, ashtu fluturon edhe dashuria e një burri ndaj një gruaje? "Ed Zagoria, - shkruan ajo, - nuk kishte të drejtë ta kërkonte më për ta lënduar. Po bënte çfarë bëjnë më së shumti burrat: vijnë, marrin ç'mendojnë se është e tyrja dhe ikin pa shpjegime. Këtë të gjitha të dashurat e dinin dhe sërish vazhdonin t'i donin njësoj. Mbase grave u pëlqente statusi i viktimës. Ankesat ndaj dashurisë, ishin pjesë e përkëdhelisë, pa të cilën ato s'mund të rronin. (f. 160)
Vallë dashuria qenka metafora e bredhjes "lule më lule"? Apo qëndrimi vetëm mbi një lule? Më mirë dashuro një herë dhe fort, apo shumë herë dhe nga pak? E gjitha është përpos se një labirinth. Diç e pashpjegueshme. Vetanake. Po ç'është kjo marri grash dhe burrash, që vrapojnë tek njëri-tjetri për t'u larguar nga njëri-tjetri? Ç'është ky paradoks i qenies, kjo çudë, ky absurd i pastër, që ftillëzohet në kapriçiot e zemrës, pllenohet nga mishi, tradhton arsyen duke thërrmuar edhe logjikën më të hekurt? Sepse është e tillë, dhe e tillë do të mbetet, andaj dhe letërisa s'rresht së shkruari për dashurinë. Dhe Erosi do t'ja shkel syrin ngaherë shkrimtarit, sikundër ia ka shkelur paq edhe Flutura Açkës. Dhe shigjetat e Kupidit të verbër kuturu do të qëllojnë, sikundër qëlluan fare rastësisht, në një ekspozitë pikturash, Ed Zagorinë dhe Enorën. Dhe asnjë shpjegim s'ka për t'i dhënë dum fundeve të papritura e të çuditshme të dashurive, veç vargjeve profetike të Poradecit: Se s'dashuroja as unë as ti, por dashuronte dashuria… Mbase këto vargje, nga ana tjetër, i gjegjen edhe më bukur e më drejtpërdrejtë edhe romanit "Hiri" të Flutura Açkës, stilit të saj, frymëzimit të saj, që na këndell të gjithëve. Një roman që fle në zemrën e çdo njeriu, kohë e pa kohë, sepse s'ka "kohë". E vetmja kohë e saj është dashuria. Dhe dashuria është përjetësi. Prandaj dhe romani s'besoj se ka për t'u "plakur"!...

Josif Papagjoni


Kliton NESTURI

Mbi romanin "Hiri" të shkrimtares Flutura Açka, Botuar në Tirana Observer, 2006

"Burrat që më deshën, më hëngrën sysh,
por kokën ma hëngrën burrat që desha."

Të kapërcesh kufijtë, ose një himn për dashurinë. Kështu mund ta përkufizoj me pak fjalë romanin më të fundit të Flutura Açkës "Hiri", botim i shtëpisë botuese "Toena". Nëpërmjet një fabule të thjeshtë, Açka përçon filozofinë që e karakterizon këtë vepër, lirinë, pa barriera e kufij; lirinë fizike, shpirtërore, shoqërore. Një dashuri që shtrihet ndërmjet shteteve, vendeve të ndryshëm, të cilat i ndan një largësi e madhe, male, lugina, qytete e oqeane. Personazhe e saj janë shqiptarë, të cilët enden në trekëndëshin Tiranë - Prishtinë - Amerikë, një trekëndësh ku nis e ndërtohet një dashuri, e cila mbetet gjithnjë e lirë, larg vulgut që ka mbërthyer jetën tonë. Si Enora Gjura, ashtu edhe Ed Zagoria janë njerëz të lirë, të cilët mbështetur në principet i japin një dimension universal dashurisë së tyre, e cila për nga mënyra e trajtimit, gjuha që përshkon veprën dhe filozofia që mbart e bën atë të përjetueshme nga të gjithë.
Në romanin "Hiri" Flutura Açka i trajton shqiptarët si qytetarë dinjitozë të botës së qytetëruar. Këtë ajo nuk e bën për snobizëm, apo thjesht për të treguar se edhe cilët mund të jemi ne, por i rrëfen shqiptarët si një pjesë dinjitoze për vet filozofinë që ata mbartin, e cila nuk ka pse të konsiderohet e dallueshme nga pjesa e botës së civilizuar, çka na dëshmon edhen njëherë tezën se zhvillimi kulturor i kombit tonë ka ecur vazhdimisht në të njëjtin ritëm me atë të kombeve të zhvilluara të Europës. Autorja i konsideron shqiptarët një, qofshin këta në Tiranë, apo në Prishtinë. Ndoshta, jo rastësisht kjo dashuri lind në kryeqendrën shqiptare të veriut, e jo rastësisht në një tokë të rigjetur dhe mjaft të dashur të eksplorueshme për të gjithë shqiptarët. Kjo është thyerja e kufirit të parë, atë ndërmjet shqiptarëve, e cila vjen shumë natyrshëm dhe pa doza të tepruara nacionalizmi, kurth në të cilin mund të biesh lehtësisht. Thyerja e dytë e kufijve është ajo e largësisë së madhe, të cilën e përjeton dashuria e krijuar nga dy protagonistët e veprës, Enora dhe Edi. Ky kufi, i cili është edhe më i vështiri, kapërcehet në mënyrën më brilante nga Açka, e cila mban me vete dy armë të forta, ndjenjën dhe pasionin. Për Flutura Açkën dashuria është një ndjenjë e madhe, e cila do të mbetet gjithnjë e bukur dhe fisnike, pavarësisht sfidave që hedh mbi të koha dhe zhvillimi i shoqërisë njerëzore.
Açka është një shkrimtare moderne. Kjo ndihet në stilin e veprës, i cili duhet thënë se është i një shkalle të lartë. Në se më parë, në romanet e Flutura Açkës kemi ndeshur ngjarjet të cilat janë sjellë para nesh duke u zbërthyer në mënyrë mjeshtërore, tek "Hiri" ndeshim shkrimtaren e cila shpalos filozofinë e saj duke e përdorur fabulën në funksion të idesë. Kjo e vendos dimensionin e autores në të tjera përmasa. Duke i dhënë asaj të drejtën të konsiderohet si një autore moderne.
Romani "Hiri" për vlerat që mbart padyshim hyn në radhën e romaneve më të mirë shqiptarë. Për këtë, vet lexuesi do të jetë i ndërgjegjshëm pasi ta ketë lexuar dhe shijuar këtë traktat për dashurinë.


Prof. Dr. Afrim Karagjozi

Falënderim në vend të nje letre

Mbi romanin "Hiri" të shkrimtares Flutura Açka, botuar në gazetën "Shqip", 2007

Nuk ndodh shpesh që një shkrimtar a shkrimtare të të vërë përballë dy romaneve të ndryshëm por të bukur të botuar njëri pas tjetrit. Në një rast të tillë, ndihesh ngushtë ndaj vetë autorit/autores. Pas pëlqimit të romanit "Kryqi i harresës", nuk di çfarë lloji tjetër pëlqimi mund t'i shpreh Flutura Açkës për romanin "Hiri". Kjo se të dy janë vërtet romane të shkruar bukur, ndonëse janë të ndryshëm, krejt të ndryshëm. Te "Kryqi i harresës" është treguesja, te "Hiri" është Flutura. Tregueshmëria e Fluturës rrëfimtare te "Kryqi i harresës" është tepër tërheqëse, filozofia e saj te "Hiri" është tronditëse.

…tek shkon drejt fundit të romanit:
E ndjen elegancën e të shkruarit, bukurinë e të shprehurit të mendimeve e ndjenjave të bukura. E ndjen se "Hiri" është vepër e shkruar me kulturë e me shpirt, me bindje e me siguri në atë që shpreh. Spikat një kulturë pikture e piktorësh: gjuhë, figura, krahasime, shprehje, citime piktorësh. Ka një përdorim e pasuri të pakrahasueshme deri në të pabesueshme fjalëformimi e fjalësh të rralla, pështjellë me një stil të veçantë që të lë pa frymë, të nguc pareshtur deri në fund.
Duket sikur nga hiçi, Flutura Açka shpallur sheshazi atë çka ndjen e përjeton, duke krijuar një roman të ngjeshur me filozofi e me psikologji, një roman sa poetik, aq dhe njerëzor, tërheqës, tronditës. Po, është një e vërtetë tronditëse që duhet thënë, një këmbanë drithëruese për shoqërinë, që shkrimtarja nuk dëshiron që të kthehet në sirenë alarmi.
Është e vërtetë e hidhur që shkakton dhembje e keqardhje, një e vërtetë të cilës Flutura Açka nuk i uron të ardhme. Duke e çmuar dashurinë, ajo nuk mund ta pranojë se femra e ka seksin si një akt të shpejtë, në këmbë, si një fast-food: ha dhe ik! Dashuria e saj është e bukur, me ngjyra të forta e të buta, ndërsa në sfond… dashuria e përdhosur, e zbërdhylur, e njollosur. Dashuri në kushte tranzicioni. Dashuri me kërleshje të brendshme. Me dhembje. Por, vepra nuk është roman qaraman, vajtues. Historia e dashurisë është një pretekst, filozofia është koncept i Fluturës.

… dhe pasi e mbaron leximin…
E ndjen se romani ka shumë nëntekst, aq edhe intertekst. Është tipar i stilit të Fluturës, por në këtë vepër, që aq gjatë shtjellohet veç një mendim, veç një koncept, ky tipar është edhe më i dukshëm, më spikatës. Nga sfondi nuk largohet silueta e portretit të një piktori, një pjesë e portretit tragjik të shqiptarëve. Ai sjell një atmosferë të ngrirë të së kaluarës. Figura e një artisti që nuk jeton më, por që është aq e gjallë, saqë të trondit kujtimi i atyre viteve të hirta. Kush i ka jetuar e përjetuar ato, ndjen një sëmbim të thellë.
Meshkujt mbeten të turpëruar, të njollosur; femrat të zhgënjyera, të shtrydhura, të paralajmëruara. Të gjithë mbeten të lënduar nga zverdhja, nga hijëzimi dhe mjerimi i dashurisë. Të gjithë mbeten të befasuar nga ato ndjenja të bukura që firojnë dhe nga ato që mbijetojnë. Por një pikëpyetje të rëndon përbrenda: A mund të dashurohen vërtetë e fort dy njerëz në ditët tona?
Mes një sërë vlerash të romanit, pikas edhe atë të shtrirjes hapësinore të ngjarjeve, sidomos "…gjatë udhëtimit nëpër qiellin shqiptaro-shqiptar". Kosova, e veçanërisht Prishtina, na bëhen edhe vendparqe po aq të njohura e të dashura, sikurse edhe ato të Tiranës ku ne banojmë. Nëpërmjet lëvizjeve ndërkontinentale, shqiptari bëhet qytetar i botës.
Kjo vepër, ky roman, nuk është veçse një figurë… një shprehje e gjatë e figurshme, tepër e gjatë, "e stërgjatë", 160 faqe, që të bëhet e pëlqyeshme dhe e dashur; që nuk do që të mbarojë, njësoj si kënaqësia që të jep një dashuri e gjatë…


Prof. Dr. Josif Papagjoni
Botuar në revista "Mehr Light", 2007

Profil

FLUTURA AÇKA, NJË VELJERË E LETRAVE SHQIPE

Kam shkruar disa herë për librat me poezi dhe romanet e Flutura Açkës. Ndoshta, ajo sikur të "detyron" të shkruash. Sepse s'është e shpeshtë, si "gjithë të tjerat". Fillimisht dukej, mbase, si shumëkush. Por ja, vit pas viti, me vullnetin dhe, doemos, talentin e saj, pa kurrfarë "ndihme" a një dore të zgjatur ëmbëlsisht si "fatum" nga zotat e jetës apo pallati i letërisë, aty në Elbasan ku e nisi së pari udhën e letërisë, poetesha e re vendosi t'i ngjitej pjerrinës së saj, ashtu kokëfortë dhe inatçore, me skeptrin jo ngaherë në krahun e saj, as të mbrothtë e ca më pak ledhatues. E, megjithatë, ajo "u bë" ("U krye", tha Jezui në kryq). U bë një poete me emër sot, fituse e Çmimit Ndërkombëtar "Lira e Strugës" (1997), e zgjedhur ndër 13 poetët më të mirë evropjanë nën moshën 35 vjeç në konkursin e Çmimit të Madh Tivoli-Europa në Itali, e përfshirë në antologjinë e letërsisë shqipe në gjuhë të huaj si dhe me cikle poezish të botuara në Francë, Itali, Greqi, Rumani, Poloni, Gjermani, SHBA, Maqedoni etj. Ishte, pra, pasioni dhe vullneti i saj që ajo deshte të "bëhej". Demiurgu mungonte, por s'mungonte farëza poetike përbrenda. "Kalosi" flinte në shpirtin e shkrimtares së ardhshme. Dhe sot unë kam kënaqësinë të shkruaj lirisht për poezinë dhe romanet e Flutura Açkes: Tri vjeshta larg, Mure vetmie, Festë me ankthin, Kënga e Aretuzës, Stinë e ullinjëve të thinjur, Vetmi gruaje, Kurthi i diellit, Poezi, Kryqi i harresës, Hiri. 10 libra, prej të cilëve tre romane.
Gjethja poetike që pikon…
Çfarë pikërisht? Thuhet rëndom: pikon lot, dhimbje, dashuri. Pikon art, ritëm, muzikë, imazh. Pikon jetë. Gjethja e larë nga shiu. Shiu i ndjenjës së hollë të vashës që dashuron, që humbon, që vuan, që pret. Gjethja e rrahur nga dielli. Dielli i zemrës që shpreson. Dhe plot ndjesi të tjera sish. Sigurisht, i njëjti djep është ai që i përkund vjershat e para të çdo vajze të re, ai që e bën të marr penën dhe ta derdh lotin çurk mbi letër: nga dashuritë e zjarrta, nga dashuritë e vdekura. Një "përrallë" e vjetër sa rrena e re. Një iluzion. Një bukuri. Një puhizë. Vegim përshkënditës. Ajo çka të shoqëron gjer kur shpina na krruset nga pleqëria. E tillë është jeta, ç't'i bësh. Kodi i saj nuk ndryshon. Dhe prandaj letërsia përsëritet. Më saktë, e "përsëritin". Sepse bulbet njerëzore janë po ato, qysh nga kohët e moçme. Edhe emocionet (karakteri i tyre). Pikërisht, për të qenë e mëvetëshme, një nikoqire e mirë, vetë letërsia çmon atë se SI E THUA. Për këtë arsye në tempullin e saj janë të paktë xhonglerët e fjalës. Flutura Açka është një e tillë. Një poeteshë herë-herë e rreptë. E dashuruara që akuzon ata që "plakën natën", "prillet e myktë" të burrave, duke marrë nën krah shpirtin e trembur të vashës, e cila: Brenda aq dashuri ka/sa të gjithë t'ia marrësh/prapë do të mbetet diçka/është zemër vajze, pra! (Zemër vajze). Andaj dhe ajo, si grua dhe poete, përfalet: Pranomëni/si jam/me furi/unë, perëndi/qaj, pres/dashuroj/dhe fal… s'e di./Jam njeri (Jam njeri).
Poezia e Fluturës spikat për parapëlqimet drejt një vargu me ngarkesa të epshme figurative, me prapthina e përmbyllje të befta (Mos më gjyko/nëse të dua/e them/Jo!), vargje me mendime që fluturojnë diku tej nëpër mjegullirën e shpirtit flu (Ti/urrejtje, vetmi, trishtim,dashuri), vargje që strehohen aty e nxjerrin gjuhëza flake nga brengat dhe përvuajtja njerëzore, veçmas ajo e dashurisë, e sakrificës dhe e përkushtimit të gruas, e përhirimit të saj në meset sociale ende të paemancipuara (Ç'të keqe të bëra/më shumë se të desha/Madh(m)ëri? (Madh(M)ëri). Veç të këtillave, pena e Açkës hedh mbi letër edhe vargje nervozë për kotësinë dhe vuajtjen që vjen prej saj, si: Mbi krye më rri/një hiç i çuditshëm/bigutinë mbetur nga nata/mes flokëve pakrehur/Jeta/si kalimtar mistrec/nga pas më gjuan e thërret/hiç, hiç, hiç/dhe unë me inatin prej HIÇ-it/s'e heq. (Hiçi). Qysh në librin "Tri vjeshta larg" (1993) ajo e vizaton kështu portretin e vet: Jam dhe s'jam/qaj dhe qesh/flas dhe hesht/ Unë/tempulli i kundërshtisë së pafund/unë/gjithkund/askund. Ose: Të dashuruarit më urryen/urrejta veten.
Sikur ta shtrydhje shpirtin e një gruaje të dashuruar, ajo do të rridhte brengë, padurim, dashuri, dhimbje dhe shumë-shumë mall. Kështu dhe vargjet e F. Açkës. Pastaj ankth nga jeta, kosa që shkurton ditët, javët, vitet. Njeriu që ndryshon, tjetërsohet nga pozita, paraja, vetmia, harrimi. Prandaj hesht dhe harro! Ja, lexojini këto vargje: Harro/të them çasteve që prita/mos fol, më thua/mbaron dita/Harro/të them orëve të gjata/mos fol, më thua/mbaron nata./Harro/të them stinëve të vjetra/mos fol, më thua/mbaron jeta. (Intermexo). Ka një kundërshti këtu, që krijon ritmin shpirtëror të vjershës. Ka një ankth të brendshëm, që shton klorofilën e saj. Por ka në vjershërinë e Açkës, pastaj, vargje të hidhta e të kithta, ku i dashuri dhe dashuria, nga flakë e dritë bëhen hije e terr; kujtime të zymta bëhen, delire, maska e fantazma, që të prishin gjumin (kujtojmë: Këpucët e kujtesës, Trokitje, Në zjarrin e ikjes tënde, Frikë harrimi). Dhe atëherë brenga dhe harmimi i zemrës së plagosur, i zemrës së gjakosur, shpërndrrohet e bëhet një vegim surrealist, fantazmagorik, thuajse makabër: Në vatër gjeta:/hi, dhe ca lëmsha të kuq/që më thanë/se quhej prush/zemrën time të pjekur/kafkat tona/si dy kërcunj/mbetur/nga zjarri pa djegur. (Ftohtësi). E ç'duhet më shumë kuptuar se dashuria është shuar? Se ka mbetur kërcu? Në vatrën "pa dru"?! Vargje të këtilla bëhen ninulla vaji e trishtimi, si në vjershën "Frikë harrimi", ku vetëm në një strofë thuhet shumëçka nga hieroglifet e shpirtit të femrës, tash i hapur e në dritë të diellit: Kam harruar të qaj, të qesh kam harruar/Kam harruar të zgjohem, të fle kam harruar/Kam harruar të vdes, të jetoj kam harruar/Kam harruar.
Poetja është po aq e prirur edhe pas peizazhit, duke hequr vija në portretin e kohës, vetvetes dhe të vendit. Metonimia bëhet bartëse e kuptimësisë, me qasje shëmbëlltyrash sfiduese, agresive, paradoksale, ku vdekja, bie fjala, shndërrohet në gjallje të shpirtit dhe me vdekjen rron; ku shpirti poetik profanohet si një trup në ringjallje, si ekuarestia biblike apo sublimohet në art, në trajtën e rimishërimit dhe epifanisë poetike. Çdo vjershë ngjan se bën një jetë të vetën, por, e kundruar në tërësinë e krijimtarisë poetike të F. Açkës, ajo paraqitet e ndërlidhur me simotrat e saj duke krijuar një metasubjekt a metatekst, i cili buron nga shpirti i saj dhe që nuk e tradhton kurrënjëherë atë. Edhe kur është fjala për gjësendet formale e teknike, poetja s'e harron qëllimin e fundit: vjershërimin elegant. Vini re sa ritëm të bukur ka në vjershën "Pulëbardha": Përmbi/stërkala/stërpiken/dëfrejnë/e vërviten/ikin larg/nga larg/aviten. Ritmi, më tutje, bëhet si rubairë, ku prehet melodika folklorike, paradigma e vargut naimian: Merrma zemrën/në dhet ma shtjer/ Ver', o e bukura Verë!/Se s'më deshën/Kur desha njëherë/Ver', o e bukura Verë! (Naimit). Qasja është e dyfishtë: dashuri për vjershëtorin e madh, Naim Frashërin dhe "Lulet e verës", por edhe trubullirë e zëmëratë për tradhtinë dhe indiferencën e burrit ndaj gruas së dashuruar, e cila mbytet e vetmuar, por kryeneçe, në lëngun e kuq të verës. E bukur!...
Midis poezisë dhe prozës
"Vetmi gruaje" është i pari roman i Flutura Açkës. Paçka se i shkurtër, aty te 100 faqet, të duket si vijim i poezisë së saj; ose si një poezi e shprehur ndryshe, që i ka ikur tinëz ngujimit dhe gjakimit poetik, diku nga skedarët e përjetimeve të saj, për të gjetur strehë në një tjetër vendth, në një tjetër formë, duke frymuar, pra, si epikë, si rrëfim. E them këtë se aroma e poezisë ndihet në çdo faqe të romanit: edhe gjuha, edhe eleganca e fjalës, edhe ritmi, edhe tëharja e lëndës, edhe përkorja për të shmangur çdo tepricë, edhe përbirimi në trazimin e shpirti të pagjumë, edhe brerorja e dritës së një subjekti që mëton të shndërrohet i gjithi në një metaforë, edhe mendimi bredharak që sfidon kohën dhe hapësirën, edhe lodrimi me vetveten në përsiatjet ekzistenciale ku ti futesh dhe gati humbet. Përjashtimisht, dalta e fjalës gdhend e gdhend me shqipen e bukur që të këndell. Andaj unë, kryekreje, teksa po hedh këto shënime, do të desha të bëja një pakt me vetveten, pastaj me lexuesin, duke e quajtur romanin "Vetmi gruaje" një roman me karakter e ndjesi të shprehura poetike.
Nuk të lë dhe aq përshtypje fabula, veprimi, ngjarja, që ftillëzohen në faqet e romanit. Madje, më duket se qysh në ngjizje, ato kanë lënë jo pak haraç ndaj një klisheje letrare të tipit të melodramatikës, me hepimin që vihet re lehtësisht ndaj mënyrës së thuritjes së ndodhive, sidomos në ngasjen (ngjarjen shkasore) dhe mbylljen e tyre. Një grua e bukur (sa bukuria), Donjeta R, vritet nga një tjetër grua, Jeta Bregu, për motive xhelozie. Ajo, Jeta Bregu, deshte të mbronte kësisoji dashurinë e saj, duke e humbur përgjithmon atë, e vetëmbyllur mëpastaj në një ankth. Admiri, hetuesi i ri, dashuron vajzën e vrasëses. Ndërkaq, ai zbulon të vërtetën e vrasjes së fshehur pas 20 vjetëve rresht. Kjo është e gjitha. Romanit mund t'i bënte mirë shmangja e artificit, përpuqja e "beftë", rrjedhimisht pranëvënia krahasuese midis dy dashurive dhe dy fateve nënë-bijë, me dy zgjidhjet e kundërta që përjashtojnë njëra-tjetrën (si kohë dhe si mendësi): dashurisë fatkeqe të Jeta Bregut, përfundimit të saj në krim dhe dashurisë fatbardhë të së bijës dhe përfundimit të saj në apoteozë. Sigurisht, kjo është thuritur enkas kësisoji nga autorja për të ballafaquar dy rrethana, dy fate dhe dy pikëpamje të kundërta mbi dashurinë. Nga kjo fushëpamje ajo e realizon synimin mesazhor të romanit, jo duke apeluar drejtpërdrejtë me fraza të prerjes racionale, komentuese etj., por duke e shndërruar në pjesë të subjektit, rrjedhimisht si qasje të figurshme, si gjendje e si përjetime emocionale prej personazheve që kryqëzohen në fatet e tyre, deri edhe tragjikisht. Në fund të fundit, "çuditë" janë pjesë e botës sonë të "çuditëshme", gjithpoaq mjete për të intriguar subjektin e për ta bërë sa më kureshtndjellëse veprën për lexuesin e saj.
Duke e rilexuar këtë roman, ndjeja rrahjen e zemrës së femrës në ankthin që i shkakton kuptimi i dashurisë, respekti ndaj personalitetit, por edhe përbaltja prej llumit njerëzor; ankthin e dashurisë dhe bukurisë, një simbiozë aq herë fatale, që na trazon gjumin dhe që pjell shemrën e krimit të mundshëm: zhelozinë e tërbuar. Dashuria, bukuria dhe vetmia - kjo trini kontrapunktuale, në vend që të pjell lumturinë, harmoninë, gazmendin pjell, përkundrazi, mbylljen në vetvete, mosbesimin ndaj tjetrit, ftohjen, vuajtjen, deri fatkeqësinë. Pse vallë ngjet kështu në jetë? Pse nuk e çmojmë siç duhet bukurinë, pse duam ta ndotim atë me xhelozinë tonë të pafrenuar, me dhunimin maskilin, me përjargien epshore dhe zilinë e ardhur nga shëmtimi? Kjo ka sjellë dhe do të sjellë pafundësisht tragjedi të reja, që do të ngopin edhe më tutje letërsinë dhë artet me subjekte të reja rrëqethëse. Nga ana tjetër, njeriu si qenie sociale dhe historike, diç më shumë mund të bëjë për t'u vetëpërsosur nëpërmjet mekanizmave të shumëllojshme sociale, psikologjike, morale etj. Ja, në këto paradigma lëviz mesazhi i romanit të Açkës, i artikuluar bukur, hijshëm dhe me art. Kush është fajtori?, gati këlthet autorja. Fajtori është i pagjetshëm, secili dhe askush, ose të gjithë jemi fajtorë.
Romani ka shumë trill. S'ka ngjyra bardh e zi, personazhe pozitive e negative, të mirë e të këqinj, përkundrazi ka njerëz me fatet dhe fajet e tyre, ku viktima, vrasësi, gjykuesi, madje dhe kureshtarët e rastësishësh, zëvendësiojnë njëri-tjetrin në rolet gjegjëse. Edhe një gjë tjetër dua të nënvizojë: prania e tretur bukur e miteve, e legjendave, e trilleve folklorike, duket se i ka dhënë ca më shumë dritë fantazisë, duke e bërë veprën edhe më të endshme për lexuesin.
Ripërtypja e kohës
"Ti mund të "fshihesh" pas kulmeve të larta, e kap shpesh veten duke i folur atij burri, por nuk i fshihesh dot atij kulmi të përbashkët dhimbjeje të dheut që na e dha - ne jemi të takueshëm dikur, diku, edhe pa u takuar kurrë më. Thirrja ime nën gri humon në ajër dhe kthehet ngadalë në një bërtajë, që mbytet herë më herë nga kujtimi." (f. 7)
Këto janë disa nga fjalët e para të romanit të dytë të F. Açkës "Kryqi i harresës", shqiptuar ndën një tis a vagullimë ndjesore si ato lutjet e përfaljet budiste, përthelluar kah zymtimi dhe vetmia e thellë. Një vetmi, ashtu misterioze, virtuale dhe shpëtimtare, kur një bëmë a gjëmë e dikujt bri saj si shkrimtare ia paska drithëruar qenien krejt, duke i dhënë cytjen e nevojshme për të rimarrë vrapin e ankthshëm drejt rrëfimit me një frymë. Dhe ky rrëfim qenka prore dykrerësh: edhe si mimesis, edhe si katarsis. Në fakt, ai gjason si diç e "njohur" dhe si diç e "panjohur" në të njëjtën kohë.
Pas 60 vjet tulatjeje nën hu dhe nën moralin bërtitës të ithtarëve të komunizmit, heshtima e plagëve të hapura që rridhnin përbrenda shpirtit të njeriut në vendin e shqipeve, nisi të ulërinte çuditërish, duke u përshfaqur bash si një paradoks i vetë lirisë së fituar (a keqkuptuar). Plaga që flakërinte e kuqëlonte gjithkah, mbante një emër të frikshëm: Kanuni. Koha e vjetër e para viteve '90 e pat gëlltitur, koha e re e pas viteve '90 e kish vjellë sakaq. Në këtë ndërkohë ngrihen "Shtyllat e Herkulit" tek romani "Kryqi i harresës". Në fletët e tij, minerali mortor i Kanunit, kësaj kushtetute gjaku, bubullin nëpër krisma kallashnikovësh rrëmbyer depove të ushtrisë së shpartalluar të shtetit më 1997. Eshtë ndërkoha kur kronikat e zeza të gazetave shqiptare rimbushen me ngjarje çudake, me hakmarrje të llahtarshme, me mëri të fshehura e ndërkryerje zemrash të trubulluara nga epshi i gjakut të vjetër ende të "pa marrë". Vdekja kish nisur të popullonte sërishmi viset e varfra të Shqipërisë. Gjithçka kryhej si në një rit. Kodi i vjetër, i tmerrshmi dhe çnjerëzori kanun, tashmë i keqkuptuar në thelb, kish kreshpëruar kokën duke zgurdulluar sytë e përhitur nga vitet e letargjisë. Mbi këtë "keqkuptim" bie si një luzmë drite mendimi dhe ndjenja prej gruaje e shkrimtares F. Açka duke i rënë këmbanës së alarmit, që goja e shqyer e vdekjes të resht së kafshuari jetë të pafajshme djelmoshash. Pikërisht prej një të tillë vdekjeje, mes dy hapësirash Shqipëri-Hollandë, në grafikën e tmerrit të hakmarrjes kanunore, e merr subjektin romani "Kryqi i harresës". Ai e sheh vdekjen si një cikël të mbyllur, nën një situatë jermi. Vdekja kërkon vdekjen, pambarimisht, egërsisht, ashtu si oktapodi i uritur gëlltit mes dhimbjesh këmbët e veta. Arsyeja kërkon zgjidhje, por kuja dhe urrejtja e gjakut i mbyll ato. Atëbotë në trurin tënd vezullon metafora e kryqit. Veç, e një tjetër kryqi, në kundërsens. Jo e atij të shëlbimit, as e atij të mbartjes së mëkateve të të tjerëve, ku i thuret zulmë shpirtit fisnik. Është Kryqi i harresës, si një borxh i pashlyer konsullit të djallit, si ndëshkim pa kthim. Kryqi fatal i vuajtjes në tokën e varfër të shqiptarëve.
Morti, gjëma, kobi, mënxyra, dhimbja, të gjitha brenda vdekjes, janë ngjyrat e forta që krijojnë tablonë e romanit. Të tjerat veçse sjellin sfumatura për të rimarrë frymë. E errta sikur të kaplon ngado, kurdo. A ka shpresë? Po, ka. Por, sadoqë fundi është fatlum dhe na jep një farë drite të mekur gëzimi, lexuesi ndien thellë vetes drithërimën e pasigurisë, pështymën e vdekjes nën lëkurë, ankthin, frikën, çmendurinë njerëzore, gjymtimin etnopsikologjik që vjen nga mungesa e koherencës sonë historike në raport me progresin qytetërues evropjan. Megjithëse heronjtë, rrëfimtarja (nënkupto, shkrimtarja) dhe i rrëfyeri (nënkupto: Frani, Gjergji dhe Anja) gjejnë pakëz paqe dhe shkojnë gjithësecili në fund drejt strehëve të tyre të reja në ruajtje të dashurisë njerëzore, ftohma që ka pllakosur tinëz shpirtrat e tyre ka lëshuar me tepri brymën e saj të trishtimit, madje të ankthit. Një zezonë vështirë e shkrydhshme. Do të duhet kohë që flladet e ngrohta të stinëve të reja të shkrijnë akujt e moçëm; do të duhet kohë që nga shtrati i kahershëm të rrjedhë vrulltazi lëngu i ri i jetës, që nga trungjet e plakur të çelin rishtazi sythet e rinj.
Habia e shkrimmtares shtyhet më tutje nga protesta e saj e sinqertë për t'i thënë "Ndal" kësaj barbarie që vret jetë të njoma, që për hakmarrjen humbet logjikën dhe kërkon therrori tek të pafajshmit: fëmijët. Plot ndjenjë, hijeshi dhe elegancë përforcohet kjo ndjenjë gruaje, kur shkrimtarja në rolin e rrëfimtares flet edhe për embrionin e ri të jetës që lëviz në barkun e saj, për ato rrënqethje ngazëllimi që ndjen çdo nënë e re me kërthijën e ngjizur në kurm të vet. Një klithëm drite vjen që andej, si metafora e kufirit të fundit të territ.
Poetizimi i dashurisë
"Burrat që më deshën, më hëngrën sysh, por kokën ma hëngrën burrat që desha". Kështu shkruan në kryeherë të romanit të tretë "Hiri", shkrimtarja F. Açka. Metafora e autores me "Luginën e vdekjes", s'ishte për mua veçse vdekja e dashurisë nga zinxhirët dhe tinzitë e martesës, e mosbesimit, e paragjykimeve, e vetë qytetërimit. Ndoshta, edhe e fatalitetit. Sepse fundet e dashurisë, çuditërisht janë aq shumë fatale!...
Vit pas viti Flutura Açka, me përvojën si nënë dhe grua, nga Tirana në Utrecht të Hollandës, sikur rrëmon më fort në udhëkryqet dhe misteret e dashurisë, tek pjesa e pashpjegueshme, aty ku zë fill eteri, fryma, mugu, "pika kritike", kur lëngu kthehet në avull e bëhet "shpirt". Sepse dashuria është "shpirt". Është fole zogjsh në ajër. Sinestezi ngjyrash që shndërrohen në tinguj dhe tinguj që shndërrohen në aroma. Një kod trashedental, jo i Artur Robjesë, por i Demiurgut, qysh në Zanafillë, para "gjethes së fikut", atëbotë kur ontologjia e gjësendeve ra pingulthi dhe u shndërrua veçse në orgazëm, në djersën e epshit prej mishit të bardhë, pa u bërë kurrë poezi, ajër, parfum, eskatologji ëngjëjsh, një diademë ala Rembo. Pikërisht në kohën kur mbi fletët e bardha të pseudo letërsisë derdhet kaq shumë ndyrësi, duke e ndotur dashurinë me perversitete, kur fjala ka humbur peshë dhe përshkrimi është shndërruar në një kazan plehrash, romani "Hiri" bën të kundërtën: poetizon dashurinë. Gjithë ç'shkruhet aty, sidoqë prozë e rrëfim, është sikur të lexoje poezi. Shumë frymëzim ka. Qëndisje e fjalës. Ritëm. Ditiramb. Shfrime lirike të një shpirti të bukur.
Nuk do të gjeni në faqet e këtij romani ngjarje të zymta, klithma dhe grindje, as dhunime, grushta, britma, gjak, thika e vrasje, sharje e poshtërime. Asgjë të "fortë", "dramatike", ca më pak "tragjike" do të gjeni aty. S'është as si "Vetmi gruaje", romani i parë i saj, i përkthyer këtë vit edhe në gjuhën bullgare, as si "Kryqi i harresës", romani i dytë i saj, ku tragjikja rëndon si një qiell i zymtë përsipër. Përkundrazi, ky roman i ngjan një serenade buzëmbrëmjeje për dashurinë, atëbotë kur konturet e gjësendeve mugullohen dhe magjia e hënës breron mbi to si aureolë mistike, - këtë po, do ta gjeni aty. Sepse dashuria është si prushi nën hi. Shkundeni pakëz gacën dhe prushi do të kuqëloj sërish si shpuzë duke j'ua lbyrur sytë. Kjo është historia vetanake, po aq universale, e piktorit të talentuar shqiptar Ed Zagoria, që jeton e krijon në Amerikë, me gazetaren shqiptare Enora. Veç dy personazhe janë, asgjë më shumë. Dy. Dhe një mjedis ku ata vendosen, herë diku, herë diku gjetkë: Amerikë, Shqipëri, Prishtinë. Me fare pak ngjarje, si diçka që ndodh rastësisht, që mund t'u ndodhë të gjithëve, romani është një udhëtim brenda vetes. Një udhëtim në shpirt. Në shpirtin e femrës. Një rrethrrotullim kah vetja për tek tjetri. Aty ku femra dorëzon misterin e vetetvetes dhe pret edhe dorëzimin e shpirtit të tjetrit bri saj. Por dorëzimi pa kushte, dorëzimi sublim, i perëndishëm, ai i dashurisë totale, absolute, s'vjen. Ose vjen vonë. Në heshtje. Në prag agu. Si psherëtimë. Ndaj dhe fjala magjike "Të dua" e Ed Zagorisë shqiptohet teksa dera tashmë ishte mbyllur dhe trupi i Enorës, pas dashurisë së fundit me të, po humbte diku tej, pas xhamit, në ajrin e ngrohtë të mbrëmjes.
E trembur, gati si në panik, shkrimtarja e mbyll romanin, pa shumë peripecira. Bashkë me tri fletët e fundit, ajo mbyll edhe fundin e një dashurie. Tri faqe. U ndodha i befasuar. Po të kish një "hapy end", prapë s'do të ngopesha. Por edhe kështu, s'ngopem. F. Açka mban një pozicion të përmbajtur, thuajse solemn, si në kohët klasike. Unë anoj më fort nga situatat dramatike dhe rrokopuja e rrëzimit, e thyerjes, e "skandalit". Mirëpo romani thyerjen, "zhurmën" e kishte brenda, thellë, shumë thellë. Një zhurmë si gërricja e krimbit në dru: kër-kër. Pema do të binte. Pema e dashurisë. Nuk do të binte nga sopata (ngjarja dhe konflikti i fortë), por nga brerja e krimbit (mungesa e ngjarjes dhe e konfliktit të shpallur). Këtu është edhe shenja që përveçon llojin e romanit dhe bërjes së letërsisë. Është kodi për të hyrë në të. Për ta kuptuar si stil, si qasje, si poetikë. S'ka, pra, "skandal". Ka një ndarje, një prishje, por si pa rënë në sy. Sikur Ed Zagoria mos të kish rënë kurrë në dashuri me Enorën. As Enora me të.
Aftësia e të shkruarit bukur
E para gjë që të bie në sy në prozën e Açkës është stili. Një stil që të grish me formën e shpenguar të tij, fjalën e krehur, frazat e menduara. Shumë dritë, hir, elegancë dhe ajër ka shkrimtaria e saj. Herë-herë duket ndikimi i fortë i letërsisë së Kadaresë, posaçërisht në mënyrën e të shprehurit të fjalës, mendimit, gjendjeve. Shkrimtarja parapëlqen kompozime të tipit të mozaikut, ku e kuqja e gjakut dhe e zeza e kobit përbëjnë dy ngjyrat më agresive të prozës së saj. Por edhe në poezi: dhimbja, humbja, nga njëra anë dhe dlirësia, dashuria nga ana tjetër. Në këto rrafshe përfshihen vetiu edhe mënyrat e thuritjes së ndodhive, sensi i kompozimit dhe i harmonisë midis njësive (narracionit, përjetimit, arsyetimit), loja e asociacioneve, përplasjet e metaforave dhe metonimive me shëmbëlltyrat fizike të jetës.
Nuk ka qetësi, as frullimë, as ledhatim, por ngërç, dallgë, zjarrmi. Edhe kur syri i shkrimtares ngjan se qetohet përmbi kurmin e nxehtë e të lakuriqtë në "lojën" e shtratit dashuror, edhe kur përshkruhen peizazhe të mjegullta, akuarele mullinjsh me erë në fushëtirat holandeze, njohje dhe udhëtime të ndërprera, sërishmi djersa e ankthit të vdekjes së pritshme është gjithpo aty, humuese, si një sy i "keq", si frikë a si telepati.
E dyta, ndër gjërat më të bukura e me më shumë vlerë tek shkrimtaria e F. Açkës është gjuha. Një gjuhë e përzgjedhur, e krehur, thuajse poetike. Një gjuhë plot lëng, që ka nerv, asht, vlagë. Që është mirëfilli një shqipe e pastër dhe e pasur. Një e atillë gjuhë që përpiqet të bashkojë në një rrjedhë të vetme ujërat e ardhura nga dy shtretër përrenjsh vrapacakë: nga leksiku i vjetër e burimor i shqipes dhe nga leksiku i ri, tok me fjalëformimet. Të dyja këto pësojnë limime, përkëdheli prej sensit poetik të Açkës. Përvoja e saj si poete, duke kërkuar tingëllimën dhe forcën e krydhtë të fjalës, dëshirën e ngahershme për të provuar krijime fjalësh të reja nga mitra e vjetër, bën që rëndom emri apo folja të shndërrohen në mbiemër, në cilësor dhe anasjelltas, që transformimi i mbaresave e prapashtesave të sjellë shumëçka tjetër, dhe me ndryshim funksioni. Po sjell për ilustrim disa syresh: përhimën, thjerrmët, baqthit, shushurecë, ikshëm, humon, bërtajë, heshtoi, viktimësit, shkëlqimtë, anonimtë, poshtërsimë, pengojat, mbëgjunjë, letuar.
Të shkruash bukur nuk është e lehtë. Të shkruash bukur do të thotë të njohësh, të përcjellësh, të emocionosh. Do të thotë të mbjellësh në shpirtin e tjetrit shpirtin tënd. Ta selitësh atë. T'i japësh trajtë, hir, këndellje, elegancë. Dhe pastaj të ledhatosh me farfuri vegimesh, tingëllimash e ngjyrash gjuhën tënde, gjuhën shqipe. Dhe shumëçka tjetër. Flutura Açka di t'i bëjë këto. Ajo shkruan bukur…

 

 

Nga Nikoleta Kovaçi
Botuar në revistën "Spektër", 2004

Një dashuri mund të zgjasë sa vetë jeta, madje edhe më shumë
Mbi romanin "Kryqi i harresës" së Flutura Açka

Dy fjalë për krijimtarinë

U lind në Elbasan dhe jetoi atje për tridhjetë vjet. Punoi herët si gazetare atje dhe më pas nuk iu nda librit. Edhe pas largimit, Elbasani do të mbetet një nga gjërat më të dashura, që do t'i sillet dhe risillet në vargje dhe prozë. Poezia e saj i theu shpejt muret e provincës. Libri i parë "Tri vjeshta larg" i botuar më 1993 do të paralajmëronte një krijuese "të befasishme" . Vijnë me radhë librat poetikë "Mure vetmie" (1995), "Festë me ankthin" (1997) (libër që i siguroi autores dy vlerësime ndërkombëtare). Më 1998, atëherë kur vetë poetët e kishin të vështirë të hynin në Kosovë, Flutura Açka hyn me vëllimin e zgjedhur dhe prezantuar nga e mirënjohura Flora Brovina dhe të titulluar "Kënga e Aretuzës". Kritika në gjithë këto vite u mor gjatë, duke e lakuar shpesh emrin e saj si të një talenti… Edhe romani i shkurtër "Vetmi gruaje" i vitit 2001 dhe i ribotuar tri herë, tërhoqi vëmendjen e lexuesit e kritikës. Pas tij publikoi vëllimin poetik "Kurth' i diellit", një libër ambicioz dhe në njëfarë mënyre përcaktues në stilin e saj poetik, për të mbërritur tek romani i saj i dytë "Kryqi i harresës", që sapo iu prezantua lexuesit. Ky roman e nxjerr Flutura Açkën nga udhëkryqi i madh, ku e mban ende mosha e saj e re si krijuese, për në magjistralen me të përpjeta të reja ambicioze.

Flutura Açka:
Një dashuri mund të zgjasë sa vetë jeta, madje edhe më shumë


Ajo rri larg prej zhurmave të jashtme që ia shprishin "qetësinë". Sa vjen e tërhiqet në dëshirën saj për të qenë e plotë në pasionin që i fle gjatë mbi librat dhe botën e krijuar prej tyre. E këtë e kërkon ta arrijë përmes kësaj rruge: "të ndenjurit larg". Miqtë e vjetër shpesh ankohen për kohën që ka filluar t'ua shkurtojë kafeve me ta. Të rinjtë e quajnë luks kur munden "të vjedhin" ca çaste bisede me të.
Ajo gjithmonë nxiton. Gjithmonë ka shumë punë për të bërë (sa e shkurtër dita për të, nuk mjaftojnë 24 orë për të përmbushur gjithë vrapin e saj të ditës). Kjo e përditë përceptohet jo e zakoshme nga shqisat e shkrimtares, jeta thithet me një ndjeshmëri të lartë nga nis e merr udhë edhe pasioni i saj i të shkruarit. Ndoshta pikërisht këtu ndahen edhe udhët e saj me të tjerët. Tek bisedon me të, ndjen se si krejt natyrshëm biseda shtrihet në shumë plane, e koha jote me të merr dimensione të tjera. Ndaj të duket sikur ajo gjithmonë vrapon. Pak e përkëdhelur nga liria e saj, por e "vetëndëshkuar" nga përgjegjësitë që shpesh i jep vetes gjithnjë në kërkim të gjërave superane, nga ku të mund t'i shohë gjërat ndryshe… Vërtetë, ndoshta jeta që ajo bën, natyrshëm për shumëkënd, quhet një vrap. Risjell shpesh që nga fëmijëria, fjalë të mbetura në kujtesë: merri jetës atë çka mund t'i rrëmbesh! "Një "rrëmbim" të tillë, e kam justifikuar te vetja për shkak të asaj që duhet të bëj ndryshe". E pra, letërsia është një gjë ndryshe për të, ajo duhet t'i përgjigjet asaj. Letërsia nuk është thjesht një ditë, as një fundjavë, por përditshmëri për të. "E le, të la. Këtu më duket më nis ndonjëherë edhe keqkuptimi me të tjerët, ka ardhur një kohë në jetën time që jam e pakohë për këdo. Kafenetë tani i frekuentoj gjithnjë e më pak, dhe gjithnjë në rreth të mbyllur. Të qenët edhe botuese m'i shton ca më shumë përgjegjësinë para letërsisë, veçanërisht lexuesit shqiptar. Dikur më ndodhte që në shoqëri të gjerë, bëja edhe shoqëri por edhe mendoja. Tani vendosa të ndryshoj, më pak kafe dhe koha për t'u menduar të jetë vërtet e tillë".
Janë disa gjëra thelbësore që kanë ndryshuar tek ajo, gjithnjë në kërkim të një sensi të mirë. Duke e ndarë një pjesë të kohës me të huaj, është bërë kalviniste. Këtë ndjenjë sinqeriteti e ka patur herët, por tani është ndryshe. Është transparente, nuk ka hije në vete. Jeta që bën, absolutisht pa asnjë lloj varësie, e ka edukuar të mos i druhet, t'i fshihet apo të "bëj kinse" para çfarëdo situate. "Mënyra e jetës që bëj, që ju nxitoni ta quani të veçantë, është e vetmja që ma siguron vetminë për të cilën ka nevojë letërsia. Shkrimtari pa vetmi është i mallkuar, mua ndonjëherë më duket se gati më mbyt, por nuk do të doja zgjedhje tjetër. Unë shkruaj vetëm kur jam vetëm, madje vetëm kur jam me veten, se më ndodh që jam vetëm, por vetja ime ka mërguar prej meje". Miqtë e saj më të mirë janë prindërit, me të atin pijnë shpesh cigare e bisedojnë gjatë, ndërsa me nënën flasin për gjëra shumë intime, që nuk fliten gjithësisht me nënat. Një nënë që ka edukuar ndjenjën e të mos kënaqurit lehtë tek e bija, gjë që i ka shtuar më shumë ambicjet e mundësive të saj "asnjëhërë nuk kam bërë aq sa mundem të bëj. S'di kur arrihet kjo? Ajo asnjëherë nuk ma thotë, më thotë vetëm të vazhdoj". I biri është pjesa e paqes, ndalesa, stacioni ku harron gjithçka. Është gjëja më e rëndësishme në jetën e saj, pa praninë e tij do ta ndiente veten "një grua shumë të varfër, një grua për t'u mëshiruar. Mbase ai ishte edhe kuptimi i dashurisë sime, një dashuri që investohet, që merr përgjigje dhe zgjat sa jeta, madje më shumë".
Për një shkrimtar dashuria shpesh bëhet ushqim, ndaj me të drejtë ajo shprehet: "Një shkrimtar edhe kur nuk e ka, duhet ta shpikë dashurinë, flas për dashurinë në kuptimin e rëndomtë të saj. Kjo dashuri është e përkohshme, dyshimtare dhe e kërcënuar nga ndjenja e reciprocitetit. Përse reciprocitet, si të jemi në ping-pong. Një njeri duhet edhe i vdekur, edhe në ëndërr, edhe i largët. Dashuria e vërtetë nuk ka lidhje me prekjen. Në momentin që lidhet me të, ajo e humb sensin eterik të saj dhe bëhët tokësore. Tokësore do të thotë, e vdekshme".

Flutura Açka dhe "Kryqi i saj i Harresës"

Sapo ka nxjerrë romanin e saj të dytë "Kryqi i harresës", i cili tashmë ka gjetur jo pak lexues. Përsiatjet nisin mbase qysh prej titullit, që përmbledh aq gjëra bashkë. Të ndara veç e veç këto fjalë nuk thonë aq, por bashkë shumë. Në roman KRYQI është një hije druri, një kujtim i kalbur në kujtesë, një gur varri i mbajtur mbi supe, udhëkryqe rrugësh të pambaruara, që shkrimtarja i ka sjellë mrekullisht bukur të shtjelluara në shumë plane, por edhe të shtrira në një linjë krejt koncize.

"Loja" me Kanunin

Marrja përsipër e një teme të tillë "burrash", nuk ka qenë aq e lehtë për autoren. Situata të çuditshme dhe absurde, të prekshme, që janë aq afër, që i dimë, por i harrojmë, të kujtojnë që e keqja nuk fle asnjë sekondë. Më shumë se me vetë Kanunin e Lekë Dukagjinit, një nga dashuritë e saj të hershme, siç thotë ajo diku, autorja parapëlqen të merret me hijen e tij. Kanuni është aty i plotë në pjesën e tij që ajo vendos të përdorë, mbase që nga "urëzat" e citimeve të tij, që ajo përdor shpesh. E parë në sy të tillë vëzhgues, ajo parapëlqen të shkojë më tej, të prekë hijen e tij, të zhbirilojë nëpër të, si nëpër një truall që ndjell vdekje, më shumë se vetë Kanuni. Subjekti është i thjeshtë për t'u thënë me pak fjalë, por i vështirë për të krijuar konceptin e një proze thjeshtë narrative. Qenia dëshmitar në një vrasje kanuni, të një njeriu të çfarëdoshëm, aq më shumë, të një fëmije, dhe përzierja me të, për analistët e Kanunit do të ishte e pavend. Por Açka as ka ndërmend të hyjë në këto ujëra. Ndjehet një tjetër shqetësim, i skajshëm dhe i frikshëm. Shpërdorimi i Kanunit, shënimi i të keqes mbi të keqen, shkatërrimi i kodeve, që edhe të rikthyer qartë, prapë mbajnë erë primitivizëm. Një frikë nga barbaria që sjell kjo shprishje, duket që e shqetëson autoren, që i qartëson situatat absurde me njerëz që mbajnë peshë gati paragonale. Edhe "negativët", nuk mund të jenë negativë për të, përderisa janë pjesë e një qytetërimi që herët ka ditur t'i bëjë gjërat e zakonshme, jo fenomene të zakonshme, por sublime.

Erotika në vepër

Shpesh është pyetur: a dinë femrat të shkruajnë bukur? Po, më tej akoma: a dinë femrat të shkruajnë bukur për erotikën? Një hap sado i vogël këtu, shpie në vulgaritet. Por Açka, mban një ekuilibër të qartë. Erotika është art te "Kryqi i harresës". Guximi është qartësi poetike, poetika vetë është arma që e bën të sigurtë rrëfimin e saj, edhe kur është në nuanca të tilla delikate. Açka "nuk ka turp" për gjëra që të tjerë përpiqen të fshihen, jeta për të e ka në të njëjtën kohë, në njëjtën lartësi dhe me të njëjtën peshë: vrasjen dhe seksin, lotin dhe vallen, gjëmën dhe dehjen. Poezia e ka ndihmuar gjithmonë. Po të mos ishte një vepër e tillë që lexohet me një frymë, do të ishte patjetër një poezi e gjatë, fati i së cilës tani nuk dihet më. Është shkrirë dhe është pjesë e këtij libri. Skenat në libër janë pak, por mjaf për të kompensuar atë ngarkesë që ka vetë ngjarja. Në radhët e skenave të tilla, ti mbetesh si lexues i zënë në befasinë mes së vërtetës së thënë jo troç, dhe së vërtetës që është aty e palëkundshme. Lakonika dhe sensi i masës, loja me nëntekset dhe harmonia mes fjalës dhe imazhit që të jep ajo, i bëjnë skenat erotike të këtij libri mbresuese.

Paralelet njerëzore dhe vertikalet psikologjike

Rrafshet mbi të cilat lëviz ky libër janë shumë dhe pothuajse pjesa më e madhe bashkëkohorë, të gjitha si paralele njerëzore. Emigrimi, megjithëse e sjellë dhe risjellë shpesh në letërsinë e viteve të fundit, tek Açka vjen ndryshe dhe me tjetër ngarkesë. Një personazh emigrant si Gjergj Nika, duhet t'i ketë kushtuar shtrenjtë rrëfimit të saj. Lëvizjet e tij skajore në hapësirë dhe ende më skajore në mendim, e bëjnë një nga personazhet më të admirueshëm të librit.
Migrimi, lëvizjet e brendshme, aq problematike të viteve të fundit, janë nëpër urëkalimet e "Kryqit të harresës". Duket se autorja do të bëjë një përligjje të çuditshme, të fajësojë hapur. Duket gati-gati që akuzon. Ajo flet për ikje të vogla, që bëjnë një ikje të madhe, flet për zbrazje sporadike, për t'i vënë emrin e përveçëm një ikjeje të madhe. I kujt është faji?, duket sikur ulëret diku në libër, gati e kryqëzuar autorja.
Të huajt në Shqipëri, lidhjet me ta, është paralele tjetër e librit. Sjellja e një personazhi të huaj, që sillet në mënyrë krejt të çuditshme, e bën Açkën jo pak të keqkuptuar me lexuesin. Por ajo e le shtegun e hapur, lexuesi vetë të vendosë për fatin e personazhit të saj, nëse do t'i dojë ose jo shqiptarët. Ajo nuk do t'i japë nga dashuria e saj e lindur personazhit të huaj, nuk e bën këtë me një kokëfortësi, duke i dhënë një vertikale analizës së këtij personazhi me një mbyllje të beftë.
Femra si pjesë me dinjitet superan. Ky është një roman emancipues. Tek ky roman femra është në kufijtë e të paprekshmes, tej të parashikueshmes. Çdo grua që do ta lexonte këtë roman do ta ndjente këtë, do ta ndjente veten më mirë dhe më të mbrojtur. Në fund të fundit, Açka nuk ka parasysh aq këtë, sa atë të vetën, të brendshme, mbase thelbin e lirisë së saj të të shkruarit, ta bëjë të ndashme me të tjera femra, madje edhe me të tjerët, meshkurjt, me të gjithë bashkë.
Të gjitha këto paralele njerëzore përshkohen nga vertikalet psikologjike që i veshin analizat e personazheve. Açka në këtë libër i dominon situatat dhe personazhet e saj nuk janë jetimë, ajo është pjesë e lojës së tyre, qoftë dhe me një frazë të vetme.